Shkruan Dr. Sahadete Sylqa, Fiziatër, Shef e Njësisë së Fiziatrisë në Spitalin e Përgjithshëm Pejë!
Aktiviteti fizik është një nevojë e natyrshme e njeriut që ndikon në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit. Sipas OBSH-së, aktiviteti fizik përfshin çdo lëvizje trupore që kërkon shpenzime të energjisë, duke përfshirë aktivitetet gjatë punës, lojës, kryerjes së punëve shtëpiake, udhëtimit dhe angazhimit në aktivitete krijuese.
Rëndësia e aktivitetit fizik reflektohet në faktin se aktiviteti i pamjaftueshëm fizik është faktori i katërt i rrezikut për mortalitetin e përgjithshëm në botë, menjëherë pas tensionit të lartë arterial, konsumimit të produkteve të duhanit dhe nivelit të lartë të glukozës në gjak. Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm kontribuon për rreth 3.2 milionë vdekje në vit dhe rrit rrezikun për shumë sëmundje si kardiovaskulare, disa lloje të kancerit dhe diabetit.
Aktiviteti fizik përmirëson qarkullimin e përgjithshëm të gjakut, rrit rrjedhjen e gjakut në tru, rrit tajimin e hormoneve të lumturisë (endorfin, serotonin, dopaminë), zvogëlon stresin, përmirëson disponimin dhe zvogëlon dhimbjen. Përfitimet e tjera shëndetësore përfshijnë ndërtimin e kockave të forta, forcimin e zemrës dhe muskulaturës, zvogëlimin e kolesterolit dhe glukozës, parandalimin e obezitetit dhe shumë përfitime të tjera.
Aktiviteti fizik duhet të përshtatet me moshën, shëndetin dhe preferencat. Rekomandohet aktivitet fizik prej të paktën 30 minutash, pesë ditë në javë. Është e rëndësishme të zgjidhni një aktivitet që ju pëlqen dhe të jeni të qëndrueshëm në rutinën tuaj. Nëse ndonjëherë dorëzoheni, faleni veten dhe vazhdoni aktivitetin të nesërmen. Aktiviteti fizik ju ndihmon të bëni gjumë cilësor, të keni vetëbesim dhe raporte të mira ndër njerëzore.
Siç ka thënë A. Stenli: “Kush nuk mund të gjejë qoftë edhe pak kohë për ushtrime fizike, duhet të gjejë kohë për tu mjekuar nga ndonjë sëmundje.”
Leave a reply