Shkrim nga Dr.Elfedin Muhaxheri,Mr.Sci internist-kardiolog – Shef i Njësisë Koronare në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë

Hipertensioni arterial definohet si vlera të tensionit arterial sistolik (TAS) ≥140 mmHg dhe/ose tensionit arterial diastolik (TAD) ≥90 mmHg. Ky është faktori më i rëndësishëm i rrezikut, i modifikueshëm, për sëmundjet kardiovaskulare, por edhe për demencë dhe dëmtim vaskular.

Prevalenca e hipertensionit arterial është rritur në dekadat e fundit dhe qëllimi i trajtimit është normalizimi i vlerave të tensionit arterial për të parandaluar apo ngadalësuar dëmtimet mikro dhe makrovaskulare të organeve.

Llojet e Hipertensionit:

  • HTA Primar (95%): Shkaku nuk dihet dhe mund të lidhet me stilin e jetës.
  • HTA Sekondar (5%): Shkaktuar nga sëmundje kronike apo komorbiditete (p.sh. veshkët, gjendrat endokrine) dhe anomalitë e lindura (p.sh. koartacioni i aortës).

Diagnoza e Hipertensionit:

  • Tensiometër automatik: ≥135/85 mmHg
  • Tensiometër jo automatik: ≥140/90 mmHg
  • Diabetikët: ≥130/80 mmHg

Rekomandohet që matja të realizohet në një ambient të qetë dhe komod me temperaturë optimale. Pacienti duhet të shmangë aktivitetin fizik, konsumimin e ushqimit, kafeinës apo duhanit së paku 30 minuta para matjes.

Rekomandime për Jetën e Përditshme:

  • Aktiviteti fizik: Ushtrime aerobike 30-60 min/ditë ose 90-150 min/javë. Ushtrime të rezistencës 90-150 min/javë. Ushtrime izometrike 3 sesione/javë.
  • Ndërprerja e duhanpirjes: Ofroni informata dhe mbështetje për ndërprerjen e duhanit.
  • Menaxhimi i stresit: Ofroni informata dhe rekomandoni terapi për menaxhimin e stresit.
  • Pesha trupore: Për pacientët obez, reduktimi i peshës trupore për 5 kg mund të ndihmojë në parandalimin e hipertensionit arterial dhe uljen e vlerave të TA.

Simptomat e Hipertensionit:

  • Kokëdhimbje
  • Marramendje
  • Të vjella
  • Çrregullime në të pamur

Komplikacionet e Hipertensionit:

  • Zemra
  • Truri
  • Veshkat
  • Sytë

Mjekimi i Hipertensionit: A. Modifikimet e stilit të jetesës: Kufizimi i kripës, rënia në peshë, kufizimi i alkoolit, aktiviteti fizik. B. Mjekimi me barna!

Emergjenca hipertenzive definohet si ngritje e presionit sistolik ≥180 mmHg dhe/ose presionit diastolik ≥120 mmHg, e konfirmuar me matje të përsëritura dhe me dëshmi të dëmtimit të organeve nga hipertensioni (DONH). Nëse pacienti mbetet asimptomatik me presion sistolik ≥180 mmHg dhe/ose presion diastolik ≥120 mmHg pa dëshmi të dëmtimit të organeve, përdoret termi urgjencë hipertenzive. Shpejtësia e ngritjes së presionit të gjakut është më e rëndësishme se vlerat absolute të tij për zhvillimin e emergjencave hipertenzive.

Leave a reply